Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shfrytëzoi një bashkëbisedim në rrjetet sociale për tu bërë thirrje të gjithë mbështetësve të tij, t’i bashkohen protestës së qytetarëve para selisë së qeverisë.
Berisha theksoi se kjo është lëvizja më e fuqishme kundër Kryeministrit Edi Rama, ndaj të gjithë opozitarët duhet të jenë në shesh.
“Unë bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo zgjedhësi, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për PD, por edhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që të ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, të mbështesë çdo protestë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve”, tha Berisha.
Berisha theksoi se asgjë, as thirrjet kundër tij, nuk duhet t’i pengojnë demokratët tu bashkohen protestuesve.
“Natyrshëm aty do ketë slogane që një palë do i pëlqejë, kurse një palë tjetër mund të mos i pëlqejë. Por nuk duhet të jetë kurrë ato që të errësojnë pamjen madhështore, misionin e madh të kësaj proteste”, tha kreu i PD.
Nga ana tjetër kryetari i PD akuzoi Kryeministrin Edi Rama se e përdori festën e krijimit të Partisë Socialiste si antimiting ndaj revoltës së qytetarëve.
“Ai aty lexoi elegjinë e vetes së tij, mitingu ishte një miting funebër, de facto për të gjithë ata që i ndjekin, ai miting shënoi fundin e partisë së krimit. E një partie që u themelua në krim. E një partie që shndërroi krimin në sistem”, tha Berisha.
Prej një jave Partia Demokratike e cila fillimisht nuk e mbështeti protestën, ka ndryshuar qëndrim duke u bërë pjesë e saj e duke kërkuar plotësimin e kërkesavë të qytetarëve që prej 2 javësh mblidhen cdo mbrëmje para kryeministrisë.




