BDI: VLEN-i është bërë sinonim i nënshtrimit, edhe Dimitrievski u jep ultimatume

Shkup, 5 gusht – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar se është shndërruar në “sinonim të nënshtrimit”, pasi, sipas kësaj partie, edhe partnerët e koalicionit qeverisës u drejtohen publikisht me ultimatume, ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it zgjedhin të heshtin.

Në reagimin e saj, BDI veçon deklaratat e liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, duke vlerësuar se fakti që ai “merr guximin t’i disiplinojë publikisht përfaqësuesit më të lartë të VLEN-it” tregon, sipas tyre, dobësinë politike të këtij koalicioni.

“Kur edhe Maksim Dimitrievski, një politikan që nuk ka arritur të ndërtojë peshë politike përtej retorikës nacionaliste, merr guximin t’i disiplinojë publikisht përfaqësuesit më të lartë të VLEN-it, atëherë problemi nuk është më te Dimitrievski. Problemi është te pafuqia dhe nënshtrimi i VLEN-it”, thuhet në reagim. BDI rikujton se Dimitrievski, sipas tyre, ishte ndër të parët që në fillim të mandatit të kësaj qeverie imponoi praktikën që përfaqësuesit shqiptarë të mos përdorin flamurin kombëtar shqiptar në takimet zyrtare. Partia opozitare thekson se përdorimi i flamurit shqiptar ishte legalizuar dhe institucionalizuar me ligj gjatë qeverisjes së saj, duke e cilësuar këtë si dallimin mes atyre që “fitojnë të drejta” dhe atyre që, sipas saj, “i dorëzojnë ato në heshtje”.

Në reagim përmendet edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, për të cilin BDI thotë se u qortua publikisht nga Dimitrievski për kremtimin e 2 Gushtit, pa dhënë asnjë përgjigje. Sipas BDI-së, Gashi ka heshtur edhe në raste të tjera, duke përmendur qëndrimet e tij lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe çështjen e publikimit të video-incizimeve që lidhen me incidentin në Kuvend. “Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që ulin kokën sa herë i qorton një partner i koalicionit. Kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë të drejtat e fituara, që flasin kur cenohet barazia dhe që nuk e ndërrojnë dinjitetin me kolltukun”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, BDI akuzon VLEN-in se po ndjek “politikën e servilizmit”, duke shtuar se heshtja e këtij koalicioni nuk është shenjë maturie, por, sipas tyre, “dorëzim”, ndërsa u bën thirrje përfaqësuesve politikë shqiptarë të mbrojnë dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve.