Artisti vizual, Arbnor Karaliti po merr pjesë në një program prestigjioz rezidencial në Vilnius, duke përfaqësuar Kosovën në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor.
Nga muaji mars deri më 30 prill 2026, ai është pjesë e programit të Užupis Art Incubator, një institucion i themeluar në vitin 2002 dhe i konsideruar ndër hapësirat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në shtetet baltike, shkruan KultPlus.
Karaliti, i cili jeton dhe vepron mes Berlinit dhe Prishtinës, përfaqësohet nga Doza Gallery. Praktika e tij artistike mbështetet në pikturën figurative, duke u zgjeruar edhe në instalacion, video dhe përdorimin e materialeve ready-made.
Në qendër të krijimtarisë së tij qëndrojnë temat e kujtesës personale dhe kolektive, migrimit dhe gjurmëve psikologjike të zhvendosjes. Përmes veprave të tij, ai ndërton narrativa vizuale me ngarkesë emocionale, duke balancuar rrëfimin intim me reflektimin social më të gjerë.
Programi rezidencial në Vilnius mbledh artistë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme, duke krijuar një mjedis intensiv për bashkëpunim, kërkim dhe zhvillim profesional. Gjatë qëndrimit të tij, Karaliti po zhvillon praktikën artistike në hapësirat rezidenciale Vilnelė, duke marrë pjesë në takime profesionale, vizita në studio dhe aktivitete të lidhura me skenën lokale të artit.
Ai ka prezantuar më parë ekspozita personale si “Can you hear the nighthawks whispering?” në Hamburg dhe “Sofa Chronicles” në Sofje, si dhe ka qenë pjesë e ekspozitave ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë Manifesta 14.
Gjatë kësaj rezidence, artisti do të fokusohet në zhvillimin e një serie të re veprash për një projekt të ardhshëm solo, që reflekton mbi kujtesën, migrimin dhe përvojën e jetesës mes ndjesisë së përkatësisë dhe humbjes.
Në përfundim të rezidencës, puna e tij do të prezantohet për publikun përmes një open studio dhe ekspozite në Vilnius.
Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, duke dëshmuar angazhimin për promovimin e artistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.










