Ansambli i kompletuar – Sulejmani: 45 vendime pune për artistë

Zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ka njoftuar përmes një statusi në rrjetet sociale përmbylljen e procesit të kompletimit të Ansamblit Kombëtar, duke e cilësuar këtë si një nga zotimet më të rëndësishme të mandatit të tij.

Sulejmani theksoi se në fillim të detyrës së tij, takimi i parë ka qenë pikërisht me anëtarët e Ansamblit, të cilët në atë kohë ishin lënë pa punë pas ndërprerjes së kontratave nga drejtuesit e mëparshëm. Sipas tij, gjendja e artistëve ishte e rënduar dhe e shoqëruar me pasiguri dhe zhgënjim.

Ai u shpreh se atëherë kishte premtuar rikthimin e tyre në punë dhe sigurimin e një stabiliteti afatgjatë për këtë kolektiv artistik. Procesi, siç sqaroi ai, është realizuar në disa faza për shkak të procedurave administrative dhe teknike.

“Sot, me nënshkrimin e pesë vendimeve të fundit të punësimit, përmbyllëm edhe fazën e tretë dhe të fundit, duke e kompletuar Ansamblin me gjithsej 45 vendime pune,” ka deklaruar Sulejmani.

Ai vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm për artistët dhe për kulturën shqiptare në vend, duke theksuar se investimi në institucionet kulturore përfaqëson investim në identitetin, traditën dhe dinjitetin kombëtar.

Gjithashtu, gjatë mandatit të tij si zëvendësministër, sipas tij, në institucionet kulturore janë realizuar edhe mbi 80 punësime të tjera.

Në fund të deklaratës, Sulejmani u shpreh krenar për arritjet gjatë një viti e gjysmë në detyrë, duke theksuar se është rikthyer dinjiteti i shumë artistëve dhe punonjësve të kulturës, dhe se mbështetja për sektorin kulturor do të vazhdojë edhe në të ardhmen.