Zëvendëskryeministri Bekim Sali, i shoqëruar nga zëvendësministrat Driton Sulejmani dhe Safije Sadiki Shahini, zhvilloi një vizitë në Sllupçan. Ajo që tërhoqi vëmendjen gjatë kësaj vizite ishte edhe prania e Bekim Afuzit, një prej figurave të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Mimoza Musa.
Dalja e përbashkët e përfaqësuesve të Alternativës me një funksionar të ASH-së vjen në një periudhë kur në skenën politike shqiptare po qarkullojnë spekulime për rikonfigurime të mundshme brenda koalicionit VLEN. Prania e tyre në të njëjtin aktivitet është komentuar në qarqe politike si një sinjal i mundshëm i afrimit mes dy subjekteve.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Alternativa apo Aleanca për Shqiptarët e Mimoza Musës që konfirmon një bashkëpunim politik apo krijimin e një blloku të ri brenda VLEN-it.
Kohët e fundit, në opinion kanë qarkulluar analiza dhe spekulime për mundësinë e formimit të një krahu të tretë brenda koalicionit, krahas atij të udhëhequr nga Izet Mexhiti dhe atij të lidhur me Bilall Kasamin. Megjithatë, këto mbeten të pakonfirmuara nga drejtuesit e partive.
Vizita në Sllupçan, ku për herë të parë u panë së bashku në terren zyrtarë të lartë të Alternativës dhe një përfaqësues i rëndësishëm i ASH-së së Mimoza Musës, pritet të nxisë interpretime të reja mbi raportet dhe dinamikat e brendshme në VLEN.




