Aksident te kalimi jolegal në Bit Pazar, ka të lënduar! Qytetarët nuk lejojnë mbylljen

Edhe një tjetër aksident iu shtua listës së dhjetëra të tjerave në kalimin ilegal në Bit Pazar. I fundit ndodhi në orët e pasdites, ku një grua dhe një burrë u goditën nga një makinë në këtë vendkalim. Që të dy kanë pësuar lëndime trupore, por janë jashtë rrezikut për jetën. Në terren dolën ekipet e ndihmës së shpejtë dhe të policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit. Qytetarët këmbëngulin që ky vendkalim të legalizohet, të vendosen semaforë e vizëbardha, me qëllim shmangien e aksidenteve në të ardhmen.

“Unë i kam parë vetëm kur kanë qenë të rrëzuar, s’kam parë më tej, por po thonë se kanë ardh prej andej e këtej.
– Këtu semaforë të vendosen, ndryshe nuk bën, tha një qytetar. “ Semaforë patjetër, nuk munden të moshuarit të ngjiten nëpër shkallë të ngarkuar, s’ka shanse. Semaforët janë më të sigurte, për sigurinë e të gjithë qytetarëve…
-Pra ju po kërkoni që ky vendkalim të bëhet legal?
– Ka qenë legal para 50 vitesh, një person del e bën jolegal, nuk është e drejta e tij është e drejta e popullit të vendos,” tha një tjetër qytetar.

Pak ditë më parë u tentua mbyllja e këtij vendkalimi ilegal, ku pas daljes në terren të ekipeve teknike të Qytetit të Shkupit, pasuan protesta të qytetarëve dhe menjëherë punët u ndërprenë dhe grilat që u vendosën fillimisht u hoqën menjëherë. Qytetarët në të njëjtën ditë theksuan se kishin marrë garanci se vendkalimi do të legalizohet. Se po shqyrtohet mundësia për legalizim ka deklaruar edhe numri një i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Në këtë pikë, ndër vite ka pasur dhjetëra aksidente, disa prej të cilave me përfundim fatal. /Alsat