Mungesa e kuadrit në shkencat ekzakte në shkolla të caktuara fillore ka detyruar drejtuesit e këtyre institucioneve të bëjnë zëvendësime me kuadër jo adekuat. Disa nga drejtuesit e shkollave me të cilët kontaktoi Alsat pranojnë një gjë të tillë por nuk deshën të flasin para kamerës për të sqaruar këtë problematikë. Ruhi Xhila, mësimdhënës i matematikës nga Struga tha se në këtë rast dëmet që pësojnë nxënësit janë të papërshkrueshme dhe afatgjate. Madje, Xhila tha se një detyrë e tillë kurrë nuk duhet pranuar.
“Në qoftë se një kuadër e ndjen veten se është i paaftë dhe pranon të hyjë në procesin edukativo-arsimor jo vetëm që do të bëj dëm, jo vetëm që do të lë njolla për mossukses por do të shkatërrohet tërë ai rrjeti empirik i organizimit të procesit edukativo arsimor. Sepse, trendet e fundit ne na çojnë gjithë këto reforma nga mësimdhënia bashkëkohore. Vet fakti që do të thotë mësimdhënie bashkëkohore në të cilën nxënësit tani po afirmohen si subjekte aktive në procesin mësimor këtu vështirësia dyfishohet për një mësimdhënës i cili nuk është adekuat. Mësimdhënësi jo adekuat nuk mund të arrijë që të nivelizojë kërkesat e programit mësimor, ato janë të pazbërthyeshëm për to”, deklaroi Ruhi Xhila, mësimdhënës.
Ngjashëm mendon edhe mësimdhënësi i shkollës së mesme, Zenafer Bajmak. Ai thotë se pasojat vërehen që fillimet e para të arsimit të mesëm ku nxënësit nuk kanë arritur as njohuritë bazë të një lënde të caktuar. Sipas Bajmak një mësimdhënës i cili nuk ka të paktën metodikën e dhënë për mësimdhënie nuk mund të bëhet pjesë e procesit edukativo-arsimor.
“Nuk mundet që secili të ligjërojë matematikë, biologji ose ndonjë lëndë tjetër, patjetër ai të jetë i kualifikuar dhe të jetë i përgatitur për atë punë. Nëse ai nuk është i përgatitur, ai mund të dijë të zgjidh diçka megjithatë nuk do të dijë se si ta sqarojë. Ky është problemi më i madh i profesionit tonë, nuk është vetëm që unë të di diçka megjithatë ne si mësimdhënës të atyre fakulteteve ushtrojmë edhe metodat dhe mënyrat se si t’ua përcjellim të tjerëve sepse ju mund të jeni njohës i shkëlqyeshëm i asaj problematike megjithatë nuk dini ta përcjellni dhe ora përfundon ndërsa rezultatet mbeten zero”, u shpreh Zenafer Bajmak, mësimdhënës.
Lëndët në të cilat tashmë është paraqitur mungesë e kuadrit janë: matematikë, fizikë, kimi, biologji e të tjera. Interesimi për të studiuar shkencat matematiko natyrore nuk është i kënaqshëm, posaçërisht drejtimet që përfshijnë dhe mësimdhënien. /Alsat