Orët kalojnë shpejt kur koha është e Kombëtares. Mëngjesin e djeshëm, ekipi nën urdhrat e Silvinjos ka zbritur në fushë për të zhvilluar seancën e paradites me një pjesë të lojtarëve.
Pavarësisht se asnjë nuk e di se çfarë po “kurdis” Silvinjo për këto miqësore, referuar 9 sulmuesve që ka thirrur, nën urdhra u vunë titullarët e ndeshjeve eliminatore. Një ndryshim i vetëm, pasi Ismajlin dhe Ajetin e dëmtuar i zëvendësoi Enea Mihaj. Pjesa tjetër është e njëjtë, me Hysajn, Gjimshitin dhe Mitajn. Me 20- vjeçarin, braziliani i stolit u pa duke biseduar veçmas për një kohë të konsiderueshme, duke i dhënë udhëzime që besoj se do t’i vlejnë në të ardhmen mbrojtësit. Silvinjo di ta bëjë më mirë pasi ka luajtur vetë në këtë pozicion. Mesfusha: InterLeçe dhe Sasuolo. Ramadani stabël dhe Asllani që ka detyrë të nxjerrë topin dhe të bëjë lidhjen e mbrojtjes me sulmin. Nedimi dukej i “ndezur”, shumë ndryshe nga Bajrami që ka luajtur deri tani në kampionatin italian. Kjo u duk edhe kur fantazisti, bashkë me Seferin dhe Ramadanin e nisin seancën duke kërcyer një muzikë, e cila është bërë virale kohët e fundit në rrjetë sociale. Silvinjo i jep detyrë Bajramit që të tentojë nga goditja e dënimit, sepse në fund të fundit është një mënyrë për të shënuar dhe për meritë individuale të një lojtari, mund të zgjidhësh ndeshjen. Gjithsesi, pas më shumë sesa një orë mbaron seanca e paradites.