Sot, Departamenti Amerikan i Shtetit ka futur në Listën e Zezë ish-kryeprokuroren speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, kryetarin aktual të Karposhit, njëherësh kandidat për president i Maqedonisë së Veriut, Stevço Jakimovski, si dhe ish-kryetari i Kaçanikut, Kosovë, Xhabir Zharku.
Veprimet e tyre, sipas vendimit të DASH-it, minuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse.
“Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një ndjekje penale nën kompetencën e saj. Në funksionin e tij zyrtar si kryetar i Komunës së Karposhit, Maqedoni e Veriut, Jakimovski ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në vendimin e DASH-it.
Në cilësinë e tij si kryetar i Komunës së Kaçanikut në Kosovë, thuhet më tej për Xhabir Zharkun, ai ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronë në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Këto vendime riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht”, thotë Departamenti Amerikan i Shtetit.