Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski i quajti arrogantë dhe të painformuar kolegët e tij në qeveri të cilët shfuqizuan katër urdhra të ministrit. Sipas tij, janë shfuqizuar urdhra për angazhimin e të punësuarve që do ta ndihmonin procesin e dhënies së dokumenteve personale. Katër urdhrat e tjera janë për këshilltarë të ministrit të cilët kanë marrë urdhra për detyrat e tyre. Ministri thotë se kurrë më herët nuk ka ndodhur të shfuqizohen urdhra të ministrit. Kryeministri Talat Xhaferi një ditë më parë kishte thënë se urdhrat e ministrit janë shfuqizuar për shkak se nuk kanë pasur nënshkrimin e zëvendësministrit dhe se ligji është i qartë për këtë pjesë.
“Unë lirisht mund të them se është skajshmërisht joligjore dhe skandaloze. E dini se si ishte vendimi për SPB-në e Tetovës, pa asnjë sqarim, i dini vendimet për aktet paraprake që ishin për t’u firmosur, kurse tani është dhe skandaloze. Qeveria mori guximin të shfuqizojë urdhër që i kam dhënë një kolegeje për ta udhëhequr procesin me fotografimin (për dokumentet personale). Bëhet fjalë për urdhër. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë më parë që të shfuqizojnë urdhra. Si nuk kanë turp. Kërkojnë dy nënshkrime, tre nënshkrime. Lëre që janë totalisht të painformuar, të pambështetur ligjërisht, por edhe arrogantë”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.