Ismail Kadare është nominuar për çmimin ndërkombëtar Booker me librin e tij “Kur sunduesit grinden”.
Libri bën fjalë për misterin e telefonatës Stalin-Pasternak, njëri udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe tjetri shkrimtari më i famshëm i tij.
Telefonata në fjalë është ritreguar nga disa pikëpamje dhe shumë studiues aludojnë se në rolet specifike shkrimtari ka fshehur vetë marrëdhënien që ai ka pasur me Enver Hoxhën.
Pasternaku ishte shkrimtari më i famshëm i Bashkimit Sovjetik me “Doktor Zhivagon” e tij.
Njëherazi ishte edhe një nga njerëzit më të persekutuar nga policia sekrete e Stalinit.
Ai u detyrua nga regjimi rus i asokohe të refuzonte çmimin Nobel duke u bërë një nga dy shkrimtarët e vetëm në histori që e ka refuzuar atë.
Tjetri ishte Jean-Paul Sartre që e refuzoi edhe ai për arsye politike po tërësisht të kundërta nga Pasternak. Sartre mendonte se asnjë shkrimtar nuk duhet të lejonte ta kthente veten në institucion.
Ky hulumtim i Kadaresë në hullitë e pushtetit dhe specifikisht në marrëdhëniet që kanë shkrimtarët dhe artistët me pushtetin është një nga librat e tij më të arrirë dhe një nga të fundit.
Telefonata ndodhi në vitin 1934 për të diskutuar arrestimin e poetit Osip Mandelshtam.
Vetë Kadare ka studiuar në Rusi dhe e njeh mirë klimën njerëzore dhe atë letrare atje duke e bërë njeriun perfekt për të përshkruar me një libër këtë telefonatë.
Libri nuk është as publicistik dhe as historik, por një përpjekje letrare për të përshkruar një fenomen.