Më 22 mars shënohet Dita Botërore e Ujit, e cila u shpall me rezolutë të OKB në dhjetor të vitit 1992, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë jetike të ujit.
Kjo ditë u shënua për herë të parë në vitin 1993 dhe që atëherë shërben si një thirrje globale për mbrojtjen e burimeve ujore dhe për adresimin e mungesës së ujit të pijshëm në shumë pjesë të botës.
Çdo vit, fokusi vendoset në tema të ndryshme që lidhen me ujin, si cilësia e tij, menaxhimi i burimeve, ujërat ndërkufitare apo roli i ujit në zhvillimin urban dhe kulturë.
Sipas vlerësimeve, deri në vitin 2025, rreth dy të tretat e popullsisë botërore pritet të përballen me mungesë serioze të ujit të pijshëm. Aktualisht, rreth 1.1 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë të sigurt, ndërsa mbi 2.5 miliardë jetojnë pa kushte bazike higjieno-sanitare.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë shqetësuese, pasi burimet ujore po zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.
Në këtë ditë, institucionet dhe qytetarët anembanë botës apelojnë për përdorim të përgjegjshëm të ujit dhe për angazhim të përbashkët në mbrojtjen e këtij burimi jetik për të ardhmen e planetit.




