Përkundër tensioneve të heshtura, në publik, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, kdp.mk mëson se kryeministri Talat Xhaferi, më në fund, fillim-javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë. Mirëpo, vizita nuk bëhet me ftesë të shefit të ekzekutivit Kosovar, por të Presidentes Vjosa Osmani!
Arsyet për këtë ngurim takimi duhet parë në pozicionimin e Qeverisë së Kosovës pro bllokut opozitar VLEN, në Maqedoninë e Veriut. Burime të kdp.mk thonë se një iniciativë për takim, kabineti Kurti nuk e ka refuzuar, por duke ofruar që ai të realizohet diku në fillim të qershorit, “për të mos pasur implikime në procesin zgjedhor” në Maqedoninë e Veriut. Për ironi, në media është publikuar njoftimi se për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i Kosovës dhe liderët e VLEN-it do të jenë tok në tubimet e javës së ardhshme në Gjermani dhe Zvicër.
Rikujtojmë se në listen e kandidatëve të VLEN-it për deputetë ka edhe tre përfaqësues të LVV-së, njëri prej të cilëve është këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.