Më 11 prill në Kosovë do qëndrojë për vizitë kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg.
Ai gjatë qëndrimit në Prishtinë do të takohet me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.
Borg, po ashtu do të takohet edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takoj pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.
Kryediplomati i Maltës do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave.
Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe.