Shkup, 8 prill – Lajmi për sulmin e armatosur mbi kryetarin e Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi ishte top temë në mediat e vendit dhe rajonit. Edhe për këtë rast, në shumë portale u përhapën informata të pasakta dhe dezinformata.
Pas sulmit më 1 prill 2024, më tepër portale në gjuhën shqipe botuan tituj të pasaktë se kryetari i komunës së Haraçinës është plagosur. LAJMI I FUNDIT: Plagoset kryetari i Haraçinës, ka edhe viktima”, “Plagoset kryetari i Haraçinës, ka edhe viktima”, “ “Plagoset kryetari i Haraçinës Ridvan Ibrahimi dhe disa persona të tjerë” – thuhet në titujt që u përsëritën nga shumë portale.
Në tekstin e portalit Koha.mk, të cilin e transmetuan shumë portale tjera, thuhet: “Persona të paidentifikuar deri më tani kanë gjuajtur me kallashnikovë në drejtim të kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, ndërsa i njëjti është i lënduar rëndë dhe aktualisht gjendet në Spitalin Klinik të Shkupit. Burime nga terreni tregojnë për gazetën KOHA se i vdekur ka mbetur A.A., djali i shoferit të kryetarit të Komunës, ndërsa të plagosur janë edhe dy-tre persona tjerë”.
Mirëpo, lajmi për plagosjen e kryetarit të Haraçinës është i lajm i rremë, e nuk është e saktë as informata se gjatë sulmit ka pasur persona të vdekur.
Siç kumtoi MPB, “…në Sektorin për Punë të Brendshme Shkup është denoncuar se në hyrje të fshatit Haraçinë, një person mashkull ka qëlluar me pushkë automatike në drejtim të kryetarit të Komunës së Haraçinës R.I., i cili ka qenë bashkë me disa persona të tjerë. Gjatë kësaj janë lënduar dy persona, të cilët kanë qenë bashkë me kryetarin e komunës. Kryetari i komunës nuk është i lënduar, e nuk janë të sakta as spekulimet e publikuara në disa portale se është lënduar një punonjës i policisë”.
Edhe ky rast tregon se mediat duhet të jenë të shumë të kujdesshme, sidomos kur informojnë për sulme dhe incidente të armatosura. Informimi në këto raste duhet të bazohet në informata zyrtare, fakte dhe burime të sigurta, e jo në spekulime dhe informata të pakonfirmuara, të cilat shtojnë shqetësimin dhe pasigurinë te qytetarët, ndërsa e ulin besimin në media.