Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar sot masakrën e Reznikut të Vushtrrisë, ku forcat e armatosura të Serbisë, më 6 prill të vitit 1999 vranë civilët e pafajshëm shqiptarë.
“Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi. Nderojmë përditë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë”, ka theksuar Kurti në një postim në Facebook.
Tutje Kurti ka theksuar se fshati Reznik i Vushtrrisë ishte bërë strehë për mijëra civilë shqiptar nga Drenica, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që granatoheshin nga ushtria e Serbisë.
“Gjatë luftës në vitet 1998-1999 shqiptarët nuk ishin të sigurt as në Reznik, e askund tjetër në Kosovë. Më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku”, ka shkruar tutje Kurti.