Shteti Islamik i Irakut në Siri, ISIS, ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin e përgjakshëm terrorist në Moskë, i cili ka lënë të paktën 40 persona të vrarë dhe me qindra të plagosur.
Ngjarja e ndodhur në periferi të Moskës, në një sallë të madhe koncertesh ku ndodheshin thuajse 6 mijë njerëz, rroku vëmendjen botërore dhe ngjalli dyshime të shumta mbi autorësinë, duke parë edhe situatën e luftës në të cilën Rusia ndodhet me Ukrainën.
Por, tashmë, ISIS-i i ka zhbërë ato dhe ka marrë përgjegjësinë e plotë të sulmit.
Kjo përputhet edhe me një paralajmërim të mëparshëm të Ambasadës Amerikane në Moskë, ku më 7 mars u tha se mund të kishte sulme terroriste në kryeqytetin rus dhe paralajmërimi kishte të bënte pikërisht me ISIS-in.
Grupi islamist e bëri njoftimin përmes platformës Telegram, ku morën përgjegjësinë e plotë për aktin.
Për Rusinë, që në fillim, nuk kishte dyshime se kishin të bënin me një akt terrorist.
Kështu kanë reaguar menjëherë autoritetet lidhur me ngjarjen, duke anuluar njëkohësisht edhe çdo grumbullim tjetër gjatë fundjavës në kryeqytetin rus.
Nga ajo sa kuptohet deri tani, katër persona të armatosur deri në dhëmbë, me veshje të specializuara ushtarake, kanë hyrë në një sallë koncertesh dhe kanë qëlluar kë t’i dalë përpara, duke lënë të paktën 40 të vdekur nga sa raportohet deri tani dhe me qindra të plagosur.
Po ashtu, është bërë me dije se ka pasur dy shpërthime masive, përpos të shtënave, ku i është vënë flaka edhe çatisë së objektit, i cili ndodhet në flakë dhe po bëhen përpjekje për t’i shuar ato me helikopterë.
Raportet ruse të lajmeve thanë se sulmuesit përdorën gjithashtu eksplozivë, duke shkaktuar një zjarr masiv në sallën e qytetit Crocus në skajin perëndimor të Moskës. Videoja e postuar në mediat sociale tregonte shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngriheshin mbi ndërtesë.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi se të paktën katër persona në gjendje luftarake qëlluan me armë. Agjencia shtetërore e lajmeve Tass raportoi gjithashtu të shtënat.
Raportet e mediave ruse thanë se njësitë e policisë së trazirave u dërguan në zonë ndërsa njerëzit po evakuoheshin.
Teksa, në media sociale, po qarkullojnë video tmerruese të personave të armatosur, teksa qëllojnë këdo që i del përpara. Disa prej videove me përmbajtje më grafike kanë treguar edhe viktima të shtrirë në tokë të gjakosur.
Ukraina nga ana tjetër, ka hedhur poshtë çdo përfshirje të mundshme me këtë akt.
Këtë e ka pohuar Mykhailo Podolyak, këshilltari kryesor i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter.
Podolyak shkruan në reagim:
Para së gjithash, Ukraina ka luftuar me Ushtrinë ruse për më shumë se dy vjet. Dhe gjithçka në këtë luftë do të vendoset vetëm në fushën e betejës. Vetëm nga sasia e armëve dhe vendimet cilësore ushtarake. Sulmet terroriste nuk zgjidhin asnjë problem…
Së dyti, Ukraina nuk është përfshirë kurrë në përdorimin e metodave terroriste. Është gjithmonë e pakuptimtë. Ndryshe, meqë ra fjala, vetë Rusia, e cila përdor sulme terroriste në luftën aktuale kundër Ukrainës dhe më herët në historinë e saj sulmoi qytetarët e saj për të iniciuar “veprime kundër-terroriste” të mëvonshme kundër grupeve etnike protestuese. Mjafton të kujtojmë ngjarjet në autostradën Kashirskoye (Moskë) dhe në Volgodonsk…