Akuzat e opozitës se prokurimi i helikopterëve bëhet para zgjedhjeve janë të papranueshme, sepse i njëjti filloi shumë më herët, tha ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska. Sipas saj në këtë prokurim nuk ka asgjë kontestuese edhe pse VMRO-DPMNE, siç tha ajo, përpiqet ta cilësojë si kriminale.
“Absolutisht nuk është kurdisur që të bëhet para zgjedhjeve, thjesht tani erdhi kjo fazë e prokurimit, që filloi që para disa vitesh, kaluan të gjithë hapat e nevojshëm dhe janë në përputhshmëri me rregullat e shtetit tonë, kështu që nuk ka asgjë kontestuese, nuk ka asgjë që ka të bëjë me krim siç përpiqen ta prezantojnë ata. Thjesht kjo është pjesë e procesit të madh të modernizimit për të cilin flasim vazhdimisht. Megjithatë, ajo që më çudit mua, janë qëndrimet e ndryshme brenda VMRO-DPMNE-së në lidhje me këtë çështje. Deputeti Dragan Kovaçki pikërisht në Komisionin për mbrojtje dhe siguri tha se edhe pse kanë shumë pyetje, megjithatë e përkrahin këtë iniciativë”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.
E pikërisht në Komisionin për mbrojtje dhe siguri, Kovaçki votoi “pro” prokurimit të helikopterëve nga kompania “Leonardo”.
“Ne e përkrahim këtë iniciativë, nuk do ta pengojmë, nuk do ta bllokojmë, megjithatë duhet të jemi të hapur dhe të tregojmë se ka lëshime dhe ka punë që mund të përmirësohen dhe me këtë ta avancojmë armatën tonë, them që të kemi vlerë të shtuar e jo të japim para për diçka që tashmë e kemi, vetëm që nuk mirëmbahet”, theksoi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Krahas kësaj deklarate të Kovaçkit, nga partia e tij edhe sot dolën me qëndrim të kundërt. Kërkojnë që pushteti ta ndalë prokurimin, për shkak se siç thonë, këtë duhet ta bëjë qeveria e ardhshme.
“Pushteti ta ndalë prokurimin prej 250 milionë eurove për helikopterë në periudhë parazgjedhore, për këtë duhet vendosur qeveria e ardhshme. Është i palogjikshëm veprimi i LSD-së dhe BDI-së të zgjedhin tender prej 250 milionë eurove disa javë para zgjedhjeve, në kohë të qeverisë teknike. Në vend të helikopterëve luftarake, pushteti blen helikopterë transportues me çka nuk e rrit gatishmërinë luftarake të ARM-së”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Ministria e Mbrojtjes po blen 8 helikopterë nga kompania italiane “Leonardo”, për çka bëri të ditur ministrja Pterovska duke thënë se janë sipas standardeve më të larta të NATO-s dhe planit afatgjatë të Armatës dhe që duhet t’i zëvendësojnë helikopterët e vjetër rusë.