Dy persona nga Shkupi janë ndaluar nën dyshimin se kanë kryer grabitjen e armatosur mbrëmë në Kumanovë.
Sipas një njoftimi të fundit të MPB-së, janë ndaluar shtetasit me inicialet M.A, 28 vjeç dhe E.A, 32 vjeç, të dy nga fshati Bukoviq i Shkupit, përcjell INA.
“Ata dyshohen se më 15.03.2024, rreth orës 20:20, në rrugën “Done Bozhinov” në Kumanovë me një automjet të tipit Range Rover me targa të Shkupit kanë goditur automjetin e pasagjerëve Volkswagen Passat, i cili drejtohej nga S.S, 63 vjeçar nga Kumanova. Më pas ata kanë qëlluar me armë në drejtim të S.S. dhe i kanë marrë një çantë me para”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Autorët e dyshuar më pas janë arratisur në drejtim të rrugës magjistrale Kumanovë-Kriva Pallankës që lidhet edhe me autostradën e Korridorit 8, ku kanë djegur makinën në afërsi të hotelit “Satelit”.
MPB njoftoi se dy personat e dyshuar janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të bëhet kallëzim përkatës.