Shqipëria publikoi të hënën raportin për Parkun Kombëtar të Butrintit, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në Indi, në korrik të këtij viti.
Raporti prej 170 faqesh i Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit anashkalon përgjigjet për disa nga kritikat e forta të misionit të UNESCO – ICOMOS
Në raportin e monitorimit, që iu dorëzua autoriteteve shqiptare në shtator të vitit 2023, misioni i UNESCO-s shprehte “shqetësim të thellë” për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria shqiptare me heqjen e 600 hektarëve pa dijeninë dhe miratimin e organizatës.
Por sipas dokumenteve zyrtare, të para nga Zëri i Amerikës, nga Parku Kombëtar i Butrintit janë hequr 802 hektarë dhe sipërfaqja nga 9424 hektarë që ishte, tani është 8622 hektarë.