Pasi Këshilli Ekzekutiv i LSDM-së njoftoi se presidenti aktual Stevo Pendarovski do të jetë kandidati i tyre në zgjedhjet e ardhshme, u intensifikua retorika në relacionin Villa Vodno – VMRO-DPMNE, shkruan Alsat.
Partia opozitare theksoi se Pendarovski nuk ka kredibilitet për të udhëhequr vendin, sepse shpesh herë ka ndryshuar qëndrime.
Sipas VMRO-së, në LSDM nuk ka pasur dëshirë që në garë në vend të Pendarovskit të hyjnë kandidatë të tjerë.
“A kandidohet nën detyrimin e Kovaçevskit, Mariçiqit dhe Zeçeviqit sepse askush tjetër në LSD nuk dëshiron ta mbajë humbjen mbi supe, madje as Oliver Spasovski, i cili deri në momentin e fundit e mati nëse ka matematikë për të hyrë në garë? Stevo Pendarovski si president u tregua jashtëzakonisht i dobët, shpesh i demantuar nga bashkëpunëtorët e tij, Qeveria ose nga ai vetë pas disa orësh apo disa ditësh”, tha Mile Lefkov – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Kabineti i Pendarovskit ka reaguar ndaj akuzave të partisë opozitare. Nga atje thonë se VMRO-DPMNE, në mungesë të ideve dhe ofertave esenciale, përdor zhargonin e rrugës dhe frazat banale në përpjekje për të diskredituar kreun e shtetit.
“Me këtë lloj komunikimi politik VMRO-DPMNE nuk do të arrijë asgjë. Qytetarët e dinë mirë se kush është presidenti Pendarovski, i cili është vazhdimisht transparent, i hapur dhe mes qytetarëve. Nëse janë opsion serioz politik që ka ofertë për qytetarët, ne rekomandojmë që të fokusohen në atë e jo në politikbërje të imët”, u shpreh Kabineti i Presidentit Pendarovski.
Emri i Pendarovskit si kandidat i LSDM-së për president të shtetit pritet të zyrtarizohet në kongresin e partisë të caktuar për të dielën. Një ditë më parë, të shtunën, VMRO-DPMNE do të mbajë konventë partiake ku si kandidate e saj do të prezantohet deputetja Gordana Siljanovska Davkova.
Deri më tani dhjetë mijë nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë parazgjedhore i kanë mbledhur Arben Taravari nga opozita shqiptare, nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani si dhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Profesoresha Biljana Vankovska, të cilëm e propozoi E Majta, si dhe kryetari i Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, janë afër pragut prej dhjetë mijë nënshkrimeve.