Mëse dy dekada por edhe më parë komuna Dibër por edhe komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë, në pjesën më të madhe të tyre pranojnë shuma të mëdha të devizave. Ata dërgojnë paratë për investime dhe përkrahje të familjarëve. Por, sipas të dhënave të shoqatave të mërgimtarëve dibran që jetojnë në Evropë dhe SHBA, pjesa më e madhe e tyre preferojnë që paratë në vendlindje t’i sjellin në kesh dhe vetëm në një pjesë të kufizuar nëpërmjet institucioneve bankare. Pa paratë e mërgimtarëve pjesa më e madhe e dibranëve nuk mund të frymojë lirshëm.
Në lidhje me përkrahjen që bëjnë mërgimtarët për vendlindjen, mund të thuhet se deri tani investimet kanë qenë të kufizuara, por paratë që sillen për familjarët dhe për aktivitete humanitare kanë qenë të bollshme. Në bisedën që patëm me përfaqësues të shoqatave qytetare dibrane që veprojnë në Itali, Austri, Zvicër, Gjermani, Francë Belgjikë etj, u informuam se mërgimtarët në pjesën dërmuese të tyre parat në vendlindje i sjellin në kesh. Normalisht gjithmonë ata tentojnë të jenë në linjë të ligjit kur bëhet fjalë për lartësinë që ata sjellin në vendlindje. Ka patur raste kur disa nga mërgimtarët kanë tentuar në kesh të sjellin devizë qofshin dollarë apo euro mbi kufijtë e përcaktuara me ligj, por këta janë raste të rralla. Në raste kur janë grumbulluar mjetet për aktivitete humanitare siç janë shërim shëndetësore, ndërtime të shtëpive humanitare, përkrahje të familjeve sociale etj, shoqatat kanë dhënë edhe vërtetime se paratë kanë një qëllim të përcaktuar.
Në lidhje me këtë çështje para disa kohësh biseduam me Agron F një dibran i cili jeton një kohë të gjatë në SHBA. Ai thotë se disa herë ka sjell para në kesh por në nivel se sa është i përcaktuar ki limit. “Kam qenë shumë i vëmendshëm në lartësinë e dollarëve që kam sjell për nevojat të përkrahjes të anëtarëve të familjes time në Dibër”, thotë Agroni.
Familja Enes Klloboçishta jeton në Nju Jork dhe pikërisht këto ditë solli para në kesh meqë një familjarit të tyre në Dibër i janë nevojitur paratë për shërim. Bashkëshortët e kësaj familje na informuan se kanë sjell para afro 20 mijë dollar dhe nuk kanë patur probleme në kufi. Në pyetjen tonë se përse në raste të këtilla paratë nuk i sjellin nëpërmjet institucioneve bankare, ata na thanë se provizionet janë të larta. Kur është në pyetje diaspora dibrane në Itali dhe disa shtete të tjera të Unionit Evropian, paratë i lëshojnë edhe nëpërmjet kompanive që bëjnë transfer të parave siç janë Wester Union, Moni Gram, Ria etj. Bëhet fjalë për shuma më të vogla që përcillen për nevojat e familjes që kanë në Dibër, thonë bashkëbiseduesit tanë. Me paratë të kategorive sociale që sjellin mërgimtarët në këtë mënyrë janë ndërtuar mbi 15 shtëpi për familjet të pastrehë në Dibër, është bërë shërimi i mbi 40 pacientëve me sëmundje të rënda etj.
Biznesmenët mërgimtar me prejardhje dibrane tentojnë të gjejnë banka ku provizionet janë më të ulëta. “Jemi duke bë ndërtime në vendlindje dhe nëpërmjet bankës dërgojmë mijëra dollarë. Prandaj edhe tentojmë të shfrytëzojmë disa banka që kanë provizione më të ulëta”, thotë mërgimtari A.Z që jeton në SHBA. Ai është një investitor i ri i cili thotë se shuma të mëdha të dollarëve nuk mund të sillen në kesh.